Pagesa e tarifës për pajisjen me targë të personalizuar i mundëson blerësit të drejta ekskluzive mbi targën, si dhe transferimin e saj nga një mjet në tjetrin. Për të transferuar një targë të personalizuar është e detyrueshme që mjetet rrugore ndërmjet të cilave kryhet transferimi t’i përkasin së njëjtës kategori mjeti (nga autovetura në autoveturë). Gjithashtu, transferimi mund të realizohet vetëm nëse mjeti që do të pajiset me targën e personalizuar ka vjetërsi më të ulët se mjeti tjetër, ose vlerë tregu më të lartë, ose mjeti është prodhuar 3 (tre) vitet e fundit”.
Transferimi i targës së personalizuar mund të bëhet:
- për rastet e ndryshimit të pronësisë, kur zotëruesi i targës së personalizuar shet mjetin me të cilin ishte lidhur ajo targë dhe dëshiron ta vendosë atë në një mjet tjetër;
- kur zotëruesi i targës së personalizuar ka 2 ose më shumë mjete në pronësi dhe kërkon të kalojë targën e personalizuar tek një nga këto mjete.
Ndalohet transferimi i targës së personalizuar në një mjet të çregjistruar në mënyrë të përhershme për të dalë jashtë përdorimi, tek një mjet historik Retro, ose tek një mjet i çregjistruar për eksport.
Gjithashtu, ndalohet transferimi i targës së personalizuar tek një pronar tjetër.
Në rastet kur mjeti i pajisur me targë të personalizuar shitet, dhurohet apo ndërron pronësi me ndonjë mënyrë tjetër të parashikuar nga Ligji, nuk do të lejohet ndërrimi i pronësisë së mjetit, nëse nuk është dorëzuar paraprakisht targa e personalizuar. Mjeti i shitur duhet të pajiset me targë të zakonshme për qarkullim dhe dokumente të reja qarkullimi.
Targa e personalizuar duhet të dorëzohet pranë DPSHTRR, me kërkesë të zotëruesit të saj, ku do të ruhet për një afat 1 (një) vjeçar. Nëse individi apo subjekti tregtar që ka blerë fillimisht targën e personalizuar nuk e transferon atë tek një mjet tjetër në pronësi të tij brenda këtij afati, DPSHTRR ruan të drejtën ta nxjerrë sërish në shitje këtë kombinim.